Haziri: Po shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme

Kosova është duke rrëshqitur drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ky opsion ka më shumë gjasa të ndodhë sesa gjetja e një zgjidhjeje ndërmjet partive politike për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, thonë zyrtarë të partisë në pushtet, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të subjektit më të madh opozitar, Lëvizjes Vetëvendosje.

Partitë politike parlamentare, aktualisht janë të betonuara në pozicionet e tyre lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do t’i thërrasë partitë tjera parlamentare në një tryezë për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila është pjesë e koalicionit aktual qeverisës, ka propozuar liderin e saj Ramush Haradinajn për pozitën e presidentit dhe po vazhdon të këmbëngulë në propozimin e saj.

Partia Demokratike e Kosovës, subjekt ky opozitar, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie nuk do ta votojnë asnjë kandidat për president nga radhët e partive të koalicionit qeverisës. Sipas kësaj partie, në rast se i kërkohen votat për presidentin e ri, atëherë ai duhet të jetë i propozuari i saj. Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, këmbëngul që vendi duhet të shkojë në zgjedhje.Haziri: Më shumë po shkojmë drejt zgjedhjeveNënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se ideja e liderit të kësaj partie, Isa Mustafa, është që të ftojë tryezën e partive politike për të nisur dialogun e brendshëm për zgjedhjen e presidentit.

“Është duke bërë përpjekje qe sa kohë, por po presim konfirmimin e partive. Në qoftë se nuk do të ketë marrëveshje, atëherë nuk ka tjetër opsion. Më shumë po shkojmë drejt zgjedhjeve. Duhet qenë të përgatitur patjetër dhe natyrisht që të gjithë janë të përgatitur (për zgjedhje). Por, ato nuk janë të mirëpritura për vendin as për stabilitetin politik. Nuk po shoh se mund të prodhohet zgjidhje e qëndrueshme pas zgjedhjeve. Do të hyjmë në një cikël të ri të krizave politike. Nëse mungon vullneti politik që të zgjidhen problemet sot në tavolinë, do të kemi prapë problemin e njëjtë. Përsëri kanë për t’u tërhequr palët në pozitat e njëjta politike”, theksoi Haziri.Lëvizja Vetëvendosje, deri më tash nuk ka marrë ndonjë ftesë zyrtare nga Lidhja Demokratike e Kosovës për pjesëmarrje në një tryezë të partive politike parlamentare. Këtë e konfirmon zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu.Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje konsideron që qëllimi i kësaj tryeze është përpjekja e koalicionit qeverisës për gjetjen e një zgjidhjeje për presidentin, por që qëllimi kryesor, siç thekson ai, është gjetja e një zgjidhjeje për zgjatjen e jetës së qeverisë aktuale. Kryeziu thekson që Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në një tryezë të tillë.“Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, rrugëdalja nga kjo situatë është përmes zgjedhjeve të reja, me një Kuvend të ri dhe të rilegjitimuar e pastaj, me kritere të pajtuara për një figurë unifikuese për presidentin.

Pra, pasi që të kemi një Kuvend të ri, të fillojmë një diskutim të përbashkët, së pari mbi kriteret dhe virtytet e presidentit të ardhshëm dhe më pas identifikimin e këtyre figurave unifikuese që mund të jenë kandidatë potencialë për president”, theksoi Kryeziu.Në anën tjetër, zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se tashmë qëndrimi i tyre është publik dhe se nuk duan të flasin lidhur me atë se a do të shkojë vendi në zgjedhje apo do të gjendet një zgjidhje për presidentin e ri.Ndërkaq, zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët me këmbëngulje pretendojnë se posti i presidentit duhet t’i takojë liderit të tyre, Ramush Haradinajt, nuk kanë qenë të qasshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *