Haziri: Nëse nuk zgjedhim presidentin, i bie që po mungon roli i Thaçit për të kryer punë

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se nëse partitë politike nuk zgjedhin çështjen e presidentit, i bie që po mungon roli i Hashim Thaçit për të kryer punë sa herë Kosova është futur në këso lloj kriza

Haziri duke thumbuar partitë e tjera politike, ka thënë se nuk është kohë e ultimatumeve dhe as e kushtëzimeve, por është koha për dialog të brendshëm për postin e presidentit.

“Kriza politike në të cilën po kalon Kosova pas reagimit të Dhomave të Specializuara për të vënë drejtësi në Kosovë dhe nevoja qytetare për stabilitet politik kërkon pjekuri politike. Nuk lejon dhe as nuk pranon ultimatume siç dëgjuam sonte, nuk pranon kushtëzime siç ishin deklaratat e djeshme dhe të pardjeshme, si dhe nuk e pranon as bojkotin, sepse kemi grupe politike që gjithçka që vjen në tavolinë bojkotohet”, tha Haziri.

Haziri tha se deklaratat që ka dëgjuar javën e fundit nga partitë politike nuk janë të reja dhe ato i ka pritur ai, por janë befasuese në kuptimin e stabilitetit politik dhe ofrimit të zgjedhjeve.

“Deklaratat që i kemi dëgjuar gjatë gjithë javës nuk janë të reja. Janë të pritura, por janë befasuese në kuptimin e stabilitetit politik dhe të ofrimit të zgjidhjeve të problemeve. Nuk janë në funksion të zgjidhjes së problemeve. Nëse PDK-ja del me ultimatum që për një periudhë të caktuar kohore jemi të gatshëm të zgjedhim president nga radhët tona, apo ajo e një partie tjetër politike që thotë “o unë o askush tjetër”, ose e një partie të tretë politike që thotë nuk mund të zgjidhet askush president pa zgjedhje, atëherë secila prej tyre po merr istikam politik”, tha Haziri.

Haziri tha se nëse partitë politike nuk arrijnë të zgjedhin ngërçin për presidentin, i bie që po mungon roli i Hashim Thaçit për të kryer këto punë dhe plotësuar një zyre politike.

“Të gjitha partitë politike parlamentare duhet të ulen në nivel liderësh dhe ta dialogojnë daljen nga kriza. Duhet ta kuptojnë që formati i presidentit Hashim Thaçi duhet të plotësohet. Nëse nuk arrijnë ta plotësojnë, atëherë janë të paaftë. I bie që po mungon njeriu i cili e ka lënë zyrën e zbrazët dhe po mungon roli i tij për ta plotësuar zyrën e tij. Nëse nuk e vlerësojnë racionalisht veprimin politik për të plotësuar një zyre politike, që është organ i lartë kushtetues, është pafuqi dhe paaftësi politike. Duke mbajtur qëndrim egoist politik dhe duke ndërtuar istikame politike nuk mund të vijë deri te një zgjidhje e problemit”, tha Haziri për Klanin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *