Gashi akuza VV-së: Për 50 ditë e futët vendin në krizë

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi sot në Kuvendin e Kosovës akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se për 50 ditë të qeverisjes e futën vendin në krizë dhe e izoluan.

Gashi, pas fjalimit të Liburn Aliut të VV-së, që e kritikoi partinë aktuale në pushtet për keqmenaxhim gjatë kohës së pandemisë tha se çfarë përfaqëson Vetëvendosje, që nuk ka arritur të ndërtojë asnjë bashkëpunim.

“Zotëri, ne e kemi një rezultat zgjedhor, të certifikuar dhe autorizuar dhe demokracia bazohet mbi rezultatin zgjedhor dhe jo mbi pretendimet e demokracisë facebookiane, të keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit me qëllime kriminale”, tha Gashi, duke e akuzuar për monopolizimin e popullit.

Ai më tej tha se demokracia është sport më i rëndë “sesa popullzimi juaj i shpërfytyruar në Kuvend dhe rrugë, në secilin ku keni mujt me pas pushtet e përgjegjësi”.

“E shohim modelin e Prishtinës që keni ndërtuar, të përtacisë, keqpërdorimit, korrupsionit. Shohim modelin tjetër të qeverisjes, Prizrenit… të paktën gjashtë drejtor kanë akuzë për korrupsion”, u shpreh Gashi.

Sipas tij, VV për 50 ditë të qeverisjes e futi vendin në krizë institucionale dhe e izoloi. “Çfarë përfaqësoni ju që nuk arritët të ndërtonit asnjë bashkëpunim…. Populli në këtë Kuvend jemi të gjithë ne, jo vetëm ju 29 deputetë…. ky është populli dhe demokracia…”, u shpreh më tej Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *