Vetëvendosje: Qeveria jonë e re do të padisë Serbinë në GJND për gjenocid

Lëvizja Vetëvendosje në Ditën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Viktimave të Gjenocidit ka thënë se po ta marrë sërish pushtetin në duar do të çojë Serbinë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me padi për gjenocid në Kosovë.

Partia në një deklaratë ka thënë se këtë çështje do ta kenë prioritet meqë nuk presin që Serbia do ta njehë të kaluarën e saj dhe do t’i kërkojë falje Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Viktimave të Gjenocidit kujtojmë gjenocidin e fundit të Serbisë ushtruar ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-99. Mbi 13 mijë civilë të vrarë, 1643 ende të pagjetur, 20 mijë gra të dhunuara, dhe më shumë se 1 milion të dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre, janë shifra që kanë shtyrë përplot studiues të deklarojnë se ky është gjenocidi i dytë më i rëndë pas atij të nazizmit”.

“Ne nuk harrojmë e as nuk do të qëndrojmë pasiv duke pritur që Serbia një ditë ta njeh të kaluarën e saj kriminale e të na kërkoj falje. Prioritet i Qeverisë sonë të re do të jetë padia për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne nuk i kemi asgjë borxh asaj, e ajo na ka shumë neve”.

Vetëvendosje thotë se pa ndëshkimin e krimeve të luftës nuk mund të ketë as qetësi e as paqe të qëndrueshme.

“Krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara derisa dikush nuk merr përgjegjësi për to”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *