ShSKUK reagon pas hulumtimit të Jeta Xharrës

Zyra e drejtorit të përgjithshëm- ShSKUK ka reaguar pas transmetimit të hulumtimit të gazetares Jeta Xharra. Hulumtimi me titull ‘FACT-CHECK për COVID-19”, i cili u transmetua mbrëmë në platformën e KALLXO.com, shpërfaqi problemet me të cilat po ballafaqohen pacientët dhe familjarët e të prekurve me COVID-19.

Ndaj këtij hulumtimi ka reaguar Zyra e drejtorit të përgjithshëm- ShSKUK, e cila thekson se nuk janë paralajmëruar nga ekipi i gazetares Jeta Xharra për xhirimet të cilat do t`i realizojnë në klinikat e QKUK-së, aty ku trajtohen pacientët me COVID-19.

Komunikatë për medie

Në lidhje me transmetimin e emisionit “Në klinikat ku trajtohen pacientët me Covid” me autore Jeta Xharra, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, sqaron si në vijim; Gazetarja Xharra dhe kameramani  kanë hyrë në klinika  pa paralajmërim,  pa leje paraprake nga institucioni ynë. Ekipi  i tyre nuk ka pasur pajisje personale mbrojtëse,  me çka kanë rrezikuar shëndetin e tyre dhe personave eventual të kontaktit që ata kanë pasur pas xhirimit. Gjatë kësaj kohe kanë penguar punën profesionale të mjekëve dhe infermierëve,  me presionin e ushtruar  përmes kamerës  televizive. Intervistat me familjarë të pacientëve selektiv që paraqesin vetëm anët negative nuk mund të dëmtojnë imazhin e përgjithshëm  institucionit dhe të stafit shëndetësor i cili pranon me qindra lavdata brenda dite. Gjatë emisionit janë përdorur akuza të paqëndrueshme ndaj personelit shëndetësor duke keqpërdorë gjendjen emocionale të përcjellësve të cilët kanë humbur të afërmit e tyre në luftën kundër Covid-19. Vlen të përmendet se gazetarja në fjalë  nuk ka bërë  kërkesë zyrtare  për qasje dhe incizime nëpër hapësira të objekteve tona shëndetësore, edhe pse të njëjtit medium, në të kaluarën i është lejuar  disa herë të realizojë reportazhe. Punëtorët shëndetësorë dhe stafi mbështetës, do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim të lartë në kujdesin shëndetësor të pacientëve në nevojë,  duke respektuar të gjitha parimet profesionale dhe njerëzore dhe duke vepruar me përgjegjësinë maksimale, konform kushteve të përgjithshme. Për të gjitha çështjet e ngritura,  institucionit  tonë nuk i është  dhënë mundësia të paraqes versionin zyrtar, e që është parim i gazetarisë profesionale”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *