Profesori flet për studimin e PE-së: Ja kurthi që u përgatit ndaj Kurtit, zbulon detaje për planin e Ramës dhe Thaçit për zhbërjen e Kosovës

I ndërtuar mbi të pavërteta dhe konspiracione është studimi i Parlamentit Evropian, mbi rolin e lajmeve të rreme në Ballkanin Perëndimor, i cili thotë se fenomeni i dezinformimit në Kosovë ka pasur implikime të drejtpërdrejta politike që shkaktuan edhe rënien e qeverisë së Albin Kurtit. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Dokumenti shpjegon angazhimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe emërimin e të dërguarit të tij të posaçëm për bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell.

Lidhur me këtë studim, profesori universitar Enver Bytyçi, ka thënë se ky material është i vërtetë por që gabimi më i madh ishte që nuk e njohu shtetësinë e Kosovës deri vonë.

“Parlamenti Evropian, më saktë Komiteti i Politikave të Jashtme dhe të Sigurisë i këtij parlamenti, ka bërë një studim për dezinformimin përmes mediave, në funksion të arritjes së qëllimeve politike. Ky material është botuar tashmë dhe ka adresuar disa fenomene në Ballkanin Perëndimor. Midis tjerave ka adresuar edhe një fakt: Që Albin Kurti u rrëzua përmes një kurthi, me të cilin iu bë presion qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kurthi kishte të bënte me deklaratën e djalit të presidentit amerikan, Donald Trump, se nëse nuk hiqej reciprociteti me Serbinë nga ana e qeverisë Kurti, atëherë SHBA-të do të tërheqin trupat amerikane nga Kosova”. E gjitha çfarë thuhet në atë raport është shumë e vërtetë. Albin Kurti ka bërë shumë gabime, nuk ka njohur deri vonë shtetësinë e Kosovës, Ky ishte gabimi më i madh i tij. Ka hedhur gaz lotsjellës në parlament. Por kur hodhi gaz lotsjellës nuk ishte vetëm. Kishte me vete edhe Ramush Haradinajn, madje me tymuese në brez, i cili më pas u bë kryeministër. Ishte gabim, por gabim taktik dhe unë nuk gjykoj ashpër politikanët që bëjnë gabime taktike. Për mos njohjen e shtetësisë, institucioneve dhe simboleve të Kosovës për një kohë të gjatë, deri sa iu ofrua pushteti, për këtë Albin Kurti do të mbajë përgjegjësi historike”, është shprehur ai.

Sipas Bytyçit, e vërteta nuk mund të injorohet pse studimin e paskan bërë organizatat jo qeveritare dhe kjo nuk bën të zhvleftësohet.

“Por e vërteta nuk injorohet pse atë studim e paskan bërë organizatat jo qeveritare, siç thotë zoti Hoti e zoti Mustafa. Parlamentet dhe qeveritë nuk janë të specializuara të bëjnë ekspertizën, studime. Janë institutet, si organizata jo qeveritare që merren me këto punë. Të përpiqesh ta zhvleftësosh ose skualifikosh atë studim me faktin se për të paskan punuar organizatat jo qeveritare, institute private, është një dezgavu në budallallëk. Edhe vetë institucionet e Kosovës, kur duan të bëjnë studime shpallin konkurs për organizatat jo-qeveritare ose institucione arsimore. Kush e fiton konkursin, ai bën studimin. Kjo është praktikë e vendeve dhe shteteve demokratike. Është praktikë edhe e institucioneve të BE-së”, ka vlerësuar profesori.

Bytyçi shton se në vend se të merren me faktin, merren me atë se kush e bëri studimin dhe se nëse studimi nuk do të ishte serioz, PE nuk do ta publikonte. “Në vend të merren me faktin, merren me atë se kush e bëri studimin. Por nëse studimi nuk do ishte i saktë dhe serioz, parlamenti evropian nuk do ta merrte në konsideratë dhe ta publikonte. Fakt është se Grenell ngarkoi djalin e presidentit Trump ta bënte atë deklaratë. Fakt është se pas asaj deklarate Albinit iu lëshuan Thaçi dhe gjithë mbështetësit e tij, përfshirë Mustafën dhe Hotin, me akuza për anti-amerikanizëm dhe se “Kosovës po i vinte katastrofa e tërheqjes së trupave amerikane prej territorit të saj”! E gjitha kjo pati efekt në publik. Por pati efekt të përkohshëm, sepse qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar para se të dilte raporti i PE-së, se kishin të vënin me një truk mashtrimi e presioni në kuadër të një komploti anti-demokratik të përgatitur mirë në Beograd dhe mbështetur nga njerëzit e Beogradit në Prishtinë e në Tiranë”, ka theksuar profesori Bytyçi.

Më tej, ai shton se këtë të vërtetë askush nuk mund ta mohojë dhe njerëzit e politikanët serioz nuk i arsyetojnë mjetet por produktin dhe produkti është i dukshëm, i pakontestueshëm: Edi Rama në Shqipëri dhe Hashim Thaçi në Kosovë kanë bërë konspiracion dhe kanë dezinformuar vazhdimisht në përpjekje për të realizuar qëllimet dhe projektet serbe te shqiptarët.

“Këtë të vërtetë nuk e mohon askush, edhe sikur atë studim ta kishte bërë organizata për barazi gjinore në Kosovë apo në Shqipëri. Njerëzit seriozë, politikanët seriozë merren me faktet dhe argumentet, nuk arsyetojnë mjetet, por produktin që del nga një studim si ky. Produkti është i dukshëm, i pakontestueshëm: Edi Rama në Shqipëri dhe Hashim Thaçi në Kosovë kanë bërë konspiracion dhe kanë dezinformuar vazhdimisht në përpjekje për të realizuar qëllimet dhe projektet serbe te shqiptarët! Richar Grenell është amerikan. Por kjo nuk e pengoi që të vihej në përkrahje të synimeve serbe në Kosovë. Kur kryeministri i Shqipërisë dhe ish-presidenti i kohës i Kosovës u vunë në shërbim të kauzës së Serbisë së Madhe, pse të mos ketë edhe amerikanë në pushtet që ta bëjnë këtë?! Në fund të fundit në Amerikë nuk jetojnë vetëm shqiptarë, por edhe serbë, rusë e sa e sa komunitete të tjera nacionale”, ka thënë ai.

Bytyçi thotë se në raste të tilla bëhen përpjekje që të mbulohet e vërteta dhe kjo nuk duhet të ndodhë edhe pse Albin Kurti shihet ose jo si kundërshtar politik i pushtetit të sotëm në Prishtinë.

“Shoh se debati tjetërsohet, kur diskutimi degjeneron në bishta. Shoh se në raste të tilla bëhen përpjekje të mbulohet e vërteta. Kjo nuk duhet të ndodhë, pavarësisht se Albin Kurti shihet ose jo si kundërshtar politik i pushtetit të sotëm në Prishtinë. Duhet pranuar e vërteta, sepse vetëm kështu garantohet e ardhmja dhe eliminohen gabimet e së shkuarës. Të kemi bërë gabime në të shkuarën. Nëse i mbrojmë ato, nuk shkojmë as te dera e tualetit. Por nëse i njohim gabimet, fillojmë dhe njohim vetveten. E kush njeh vetveten jep garanci për të qenë njeri në radhë të parë”, ka deklaruar Enver Bytyçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *