“Kufiri i Kosovës stacion autobusësh” – profesori e zbulon qëllimin e vizitës së Petkoviqit

Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi e ka përfunduar ditën e tij të parë të vizitës së tij në Kosovë, në manastirin e fshatit Bajë të Skenderajt.

Ndaj kësaj vizite pati reagime të shumta, ndër të cilat ishte edhe reagimi i kryetarit të Skenderaj, Bekim Jashari.

Jashari nuk e priti fare mirë vizitën e Petkoviqit në Skenderaj, duke deklaruar se nuk ishte i informuar fare për këtë vizitë të zyrtarit serb.

Në lidhje me këtë çështje, profesor Sylejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” deklaroi se serbët kufirin e Kosovës po e konsiderojnë si një lloj stacion autobusësh. Ai tha se ata po hyjnë sa herë po dëshirojnê, duke aluduar se në këtë pjesë policia dhe qeveria e Kosovës nuk pyetet fare.

“Kufiri i Kosovës për serbët konsiderohet e llogaritet si ndonjë han apo stacion autobusësh ku secili serb hy e del kur të ju teket e kur të ju hyp qejfi. Nuk po ekziston vijë kufitare në Veri për t’u pyetur qeveria e Hotit, dihet se Veriu i Mitrovicës e i Zubin Potokut i kujt është?, i Serbisë, dhe fare nuk pyetet këtu policia e qeveria e Kosovës”, u shpreh Mehazi.

Ai vizitën e Petar Perkoviqit e cilësoi si cenim të territorit të Kosovës dhe kjo është përtej kushtetueses e shtetësisë së Kosovës.

“Hyrja e drejtorit e të ashtuquajturit “Zyrë për Kosovën” të Serbisë, Petar Petkoviq, e ka kuptimin e cenimit të territorit të Kosovës dhe është përtej kushtetueses e shtetërores së Kosovës”, nënvizoi profesori.

Tutje, Mehazi deklaroi se vizita e Petkoviqit në Skenderaj ishte provokim I drejtpërdrejt ndaj kryetarit të kësaj komune, Bekim Jashari. Ai zyrën e Kosovës në Serbi e vlerësoi si një lloj dorëzimi të një pjese të Kosovës për Serbinë.

“Më e keqja e kësaj është se Petar Petkoviq si kapadai shëtit e hy thellësisht në Kosovë deri në Skenderaj duke e provokuar në territorin e vet edhe kryetarin e Skenderajt Bekim Jasharin.

Politikisht zyra serbe për Kosovën e ka domethënien e dorëzimit të një pjese të madhe të Kosovës Serbisë që në gjuhën diplomatike e ka kuptimin e inferioritetit të qeverisë së Kosovës para kësaj drejtorie serbe”, tha Mehazi, përcjell.

Në fund, profesori tha se tërë fuqia e së keqes serbe vjen nga Veriu, prandaj Qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes. Ai e cilësoi Veriun si sëmundje politike të pashërueshme për Kosovën.

“Qeveria e Kosovës duhet ta di se e tërë fuqie e së keqes serbe vjen nga Veriu deri sa rreptësishtë e me xhelozi do sundojë me ligjet e saja kushtetuese ndaj kësaj ane problematike serbe. Gjëma më e madhe kosovare është Veriu, prej kësaj gjëme duhet shëruar sa më shpejtë me anë të policisë e ushtrisë së Kosovës, për ndryshe Veriu do mbetete sëmundje politike e ekonomike e pashërueshme kancerologjike për Republikën e Kosovës”, përfundoi Mehazi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *