Specialja: Avokatët i kërkojnë paratë, institucionet kosovare i zvarritin pagesat

Avokatët e ish-eprorëve dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët janë akuzuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit e pengim në Drejtësi, tashmë kanë bërë kërkesat e tyre në Ministrinë e Drejtësisë për t’u kompensuar për angazhimin e tyre.

Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Komisioni për Shqyrtim dhe Vendosje i Divizionit për Mbrojtjen Juridike të Akuzuarve potencial të Dhomave të Specializuara, nuk i ka kthyer ende asnjë përgjigje ndonjërit prej mbrojtësve, meqë ky Komision, siç i është konfirmuar Klan Kosovës, nuk ka nisur punën akoma.

Po ashtu, bëhet e ditur se fillimi i punës së Komisionit për Shqyrtim dhe Vendosje është duke u penguar nga akterë jashtë Ministrisë së Drejtësisë, por as nga kjo e fundit e as nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit nuk është bërë e ditur se kush dhe për çfarë arsye po e pengon punën e tij.

E kurdo që do të nisin kompensimet financiare për avokatët e shtatë ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Ministria e Drejtësisë zotohet se në pasqyrat javore të shpenzimeve të ministrisë, do t’i publikojë të gjitha shpenzimet që lidhen me këtë proces.

“Ministria e Drejtësisë do ta njoftojë opinionin publik, mbi baza të rregullta, duke i bërë publike shpenzimet javore të Ministrisë, ku do të përfshihen edhe shpenzimet që ndërlidhen me këtë proces”, ka deklaruar Ministria e Drejtësisë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *