Ishujt Faroe “ia ftofin” Drenocit të Deçanit, ndërtojnë rrethrrotullim nën ujë

Ishujt Faroe janë afër finalizimit të një projekti të mrekullueshëm infrastrukturor të një tuneli të ndërtuar nën ujin e detit. Rruga e këtij tuneli ka edhe një rrethrrotullim, i cili duket më bukur se, për shembull, rrethrrotullimi në Drenoc të Deçanit.

Tunelet e reja i lidhin ishujt Streymoy dhe Eysturoy dhe janë të gjata gjithsej 11 kilometra. Pritet që ky projekt të inaugurohet më 19 dhjetor.

Rrjeti i tuneleve i ka gëzuar shumë banorët lokalë, sepse ua ka shkurtuar kohën e udhëtimit mes kryeqytetit Torshavn dhe Runavik nga një orë e 14 minuta në vetëm 16 minuta.

Pika më e ulët e rrjetit të tuneleve është 187 metra nën nivelin e detit. Për sigurinë e personave që kalojnë nëpër to, teposhtëzoja më e madhe është vetëm pesë për qind.

Pritet që tunelet të testohen paraprakisht, përfshirë ofrimin e shërbimeve urgjente, dy ditë para inaugurimit zyrtar.

Rrethrrotullimi që ndodhet në mesin e këtij rrjeti do të përfshijë edhe vepër arti të artistit vendës, Trondur Patursson. Ai ka përgatitur skulptura dhe efekte me drita për këtë projekt të bukur.

Ishujt Faroe përbëhen nga 18 ishuj të vegjël që ndodhen në pjesën veriore të Oqeanit Atlantik, mes Islandës në perëndim, Skocisë në jug dhe Norvegjisë në lindje. Ata janë pjesë e Danimarkës, por kanë autonomi deri në një shkallë të caktuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *