Isa Mustafa raportin e BE-së e quan manipulim

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar pas studimit të publikuar nga e Parlamentit Evropian (PE), që kishte vlerësuar se fenomeni i dezinformimit në Kosovë ka pasur implikime të drejtpërdrejta politike që shkaktuan edhe rënien e qeverisë së Albin Kurtit.

Mustafa përmes një postimi në Facebook e ka quajtur këtë studim manipulim.

“Disa bashkëmendimtarë të majtë evropianë të tashmë forcës kryesore politike të së majtës në Kosovë (Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit), në një “studim” që paskan bërë për efektin e lajmeve të rreme në politikëbërje, përfshirë edhe Kosovën, më paska “akuzuar” si prodhues të lajmeve të rreme me qëllim rrëzimin e qeverisë së koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së”, ka shkruar Mustafa.

Ai po ashtu ka thënë se do t’i drejtohet partive simotra të LDK-së në EPP (Partitë Popullore Evropiane) me sqarimet e nevojshme për ta hedhur poshtë këtë studim, që sipas tij është tendencioz dhe të motivuar ideologjikisht ndaj LDK-së.

“E vërteta e bashkëqeverisjes  mes LDK-së dhe Vetëvendosjes është e qartë dhe e pastër. LDK-ja i dha shans Vetëvendosjes për të punuar bashkërisht për të mirën e Kosovës.  Vetëvendosje, përveç që tentoi ta keqpërdorte partneritetin dhe kontruktivitetin e LDK-së, duke u kthyer në shtratin e saj ideologjik dhe gjenezën izolacioniste, filloi ta rrezikonte partneritetin e Kosovës me aleatët e saj kryesorë, para se gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar më tej Mustafa.

Ky është postimi i plotë i tij:Të dashur miq,  “Studimi” i bashkëmendimtarëve të Albin Kurtit është manipulim!  Disa bashkëmendimtarë të majtë evropianë të tashmë forcës kryesore politike të së majtës në Kosovë (Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit), në një “studim” që paskan bërë për efektin e lajmeve të rreme në politikëbërje, përfshirë edhe Kosovën, më paska “akuzuar” si prodhues të lajmeve të rreme me qëllim rrëzimin e qeverisë së koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së ! Meqë ky “studim” qenka bërë për nevojat e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, si kryetar i LDK-së, do t’u drejtohem partive simotra të LDK-së në EPP (Partitë Popullore Evropiane) me sqarimet e nevojshme për ta hedhur poshtë këtë “studim” tendencioz dhe të motivuar ideologjikisht ndaj LDK-së.

E vërteta e bashkëqeverisjes mes LDK-së dhe Vetëvendosjes është e qartë dhe e pastër. LDK-ja i dha shans Vetëvendosjes për të punuar bashkërisht për të mirën e Kosovës. Vetëvendosje, përveç që tentoi ta keqpërdorte partneritetin dhe kontruktivitetin e LDK-së, duke u kthyer në shtratin e saj ideologjik dhe gjenezën izolacioniste, filloi ta rrezikonte partneritetin e Kosovës me aleatët e saj kryesorë, para se gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  LDK-ja nuk mund të duronte nëpërkëmbjen e saj nga një parti tjetër dhe taman puna të rrinte duke e soditur Vetëvendosjen teksa po shkarkonte ministra të LDK-së duke e shkelur marrëveshjen dhe po rrezikonte partneritetin e Kosovës me SHBA-të !  Prandaj, LDK-ja reagoi. Dhe do të reagoj ndaj kujtdo në Kosovë që e quan veten aq të rëndësishëm e të fortë sa të shpërfillë thirrjet telefonike nga Shtëpia e Bardhë e Departamenti Amerikan i Shtetit. Që organizon fushata denigruese ndaj zyrtarëve amerikanë dhe Shtëpinë e Bardhë e portretizon si një vend ku copëtohet Kosova.  LDK-ja, si partia e parë politike në Kosovë dhe si trasuesja e orientimit pro-perëndimor të Kosovës, e ka obligim të kujdeset për të mos lejuar asnjëherë tendencat për shmangie nga ky orientim. Sepse, partneriteti me SHBA-të dhe demokracinë perëndimore, është orientim natyror dhe sepse është rruga e vetme për Kosovën.  Autorët e “studimit”, shpresoj shumë se do të ballafaqohen me mbështetësit e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe “studimi” i tyre do të përfundoj si një përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e së vërtetës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *