4 javë në komë me Covid-19/ Mjekët gjermanë shpëtojnë 27-vjeçarin shqiptar

Albi Bami është 27 vjeç dhe nuk ka sëmundje të mëparshme dhe as faktorë të identifikueshëm të rrezikut. Megjithatë i riu nga Shqipëria luftoi për jetën kur u prek nga koronavirusi dhe u sëmur rëndë, shkruan portali gjerman, SOL.

Albi u transferua në spitalin ‘Winterberg’. Atje shanset do të përmirësoheshin për shkak se ky spital ka aparatin ECMO, një makineri që kryen pjesërisht ose plotësisht funksionin e frymëmarrjes së pacientit.

Mjeku i vjetër Nikolaus Graf, që është marrë me trajtimin e shqiptarit, thotë se rasti i tij i mbeti në mendje, për shkak se ishte i ri dhe nuk kishte asnjë rrezik të njohur më parë. “Edhe kur shkoja në shtëpi, mendoja për këtë,” thotë mjeku.

Albi qëndroi në ventilim për një muaj. Më 10 nëntor, 27-vjeçari u zgjua nga koma pas katër javësh në trajtim intensiv. Sapo e mori pak veten, i dërgoi një foto familjes për të treguar se ishte në duar të sigurta.

Vëllai i Albit komunikonte kryesisht me mjekët. “Komunikimi me familje nga Shqipëria ishte i vështirë për shkak të gjuhës,” shkruan portali.

“Tani fillon një jetë e dytë për mua,” thotë shqiptari. Një mik i tij parashikoi se ai do jetojë 100 vjeç. Megjithatë duhet akoma punë përpara se të arrihet normaliteti për 27-vjeçarin. Muskujt janë akoma të dobët dhe lodhja nga sëmundja mbetet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *