Haradinaj-Stublla: Kosova dhe Shqipëria janë të angazhuara të përkujdesen për bashkëkombësit jashtë kufijve

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla, pas nënshkrimit të tri marrëveshjeve me homologun nga Shqipëria Gent Cakaj që kanë të bëjnë me shqiptarët e Luginës, ka thënë se shqiptarët në Serbi duhet të gëzojnë të drejta të barabarta siç gëzon komuniteti serb dhe komunitetet e tjera në Kosovë.

“Jam e nderuar që sot Prishtina është nikoqirja e këtij takimi simbolik, po shumë domethënës. Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete demokratike, sovrane dhe të pavarura, në kuadër të orientimit tonë të padiskutueshëm euroatlantik dhe të besimit në vlerat e përbashkëta të lirisë dhe barazisë të cilat janë vlera themelore demokratike jemi angazhuar që të përkujdesemi edhe për bashkëkombësit tanë jashtë kufijve të shteteve tona”.

“Si të gjitha komunitetet e tjera të respektuara në Kosovë dhe Serbi edhe komuniteti shqiptar duhet të gëzojnë të drejta të barabarta edhe në Serbi dhe Mal të Zi dhe të mos diskriminohen skajshëm ashtu siç ndodh sot”.

Kryediplomatja nga Kosova ka thënë se ajo dhe Cakaj ndajnë qëndrimin e njëjtë për dialogun me Serbinë.

“Me ministrin Cakaj, në kontekst të bashkëpunimit ndërshtetëror bilateral, kemi diskutuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, perspektivën euroatlantike të rajonit, por edhe pritjet nga dialogu Kosovë-Serbi. Rruga euro-atlantike e Kosovës është e paalternativë  dhe jemi të përkushtuar të mbesim 100 përqind në detyrë për ta avancuar këtë rrugëtim drejt BE-së. Kjo për Kosovën nënkupton liberalizimin e menjëhershëm të vizave për kosovarët, derisa për Shqipërinë shpresojmë që do të konsistojë në hapjen e shpejtë të negociatave me BE-në dhe kjo do të zgjerojë perspektivën e rajonit, por edhe të Kosovës në këtë aspiratë”.

“Sa i përket dialogut me Serbinë jam e lumtur që me ministrin Cakaj ndajmë të njëjtën bindje se është koha për marrëveshje finale gjithëpërfshirëse për njohje reciproke duke respektuar tri parimet, të dakorduara me koalicionin qeverisës të Qeverisë Hoti, të cilat janë integriteti territorial, rendi kushtetues dhe karakteri unitar i Kosovës. Derisa ne po e mbajmë këtë konferencë tani gërmimet në varrezën masive në Kizhevak po vazhdojnë, prandaj dua të shpreh dhimbjen time me familjarët duke iu uruar forcë që të tejkalojnë këtë dhimbje të dyfishtë e cila po ju përsëritet”.

Haradinaj-Stublla i ka bërë thirrje Serbisë që ta zbatojë Marrëveshjen e Washingtonit.

“Ne gjatë takimit diskutuam edhe për shumë çështje që prekin pozitën e shqiptarëve në Serbi, prandaj dua të bëj thirrje nga kjo foltore për Serbinë që të respektojë marrëveshjen për normalizim ekonomik që është nënshkruar në Washington. Ne mbesim të përkushtuar si Republikë e Kosovës që t’iu qëndrojmë besnik zotimeve që kemi bërë në këtë marrëveshje dhe të avancojmë tutje me të gjitha obligimet që kemi në këtë kontekst”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *