Haradinaj nxjerr certifikatën mjekësore: Bekë Berisha është negativ për COVID-19

Kryesuesja e seancës së sotme Arbërie Nagavci tha se ka marrë informata që në sallë janë të pranishëm deputetët që kanë lajmëruar që nuk mund të marrin pjesë në komisionet përkatëse për shkak se kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 para katër pesë ditësh.

Për këtë ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Daut Haradinaj i cili tha se Nagavci ka aluduar në deputetin Bekë Berisha.

Ai e ka nxjerrë edhe certifikatën mjekësore me anë të së cilës tha se vërtetohet se deputeti i AAK-së ka rezultuar negativ për COVID-19, njofton Klan Kosova.

“U diskutua rreth një deputeti që është me virus në sallë. U aludua në deputetin Bekë Berisha, ndërsa unë po ju dëshmoj me certifikatë se deputeti Bekë Berisha ka rezultuar negativ”.

Haradinaj paraprakisht tha se AAK-ja e mbështet Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, derisa ka përgëzuar PDK-në që ka paralajmëruar se do ta votojë këtë projektligj.

“Ne i kemi dhënë nënshkrimet me bindjen e plotë se ky ligj është ndër ligjet më të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe jo për qeverinë, sepse e di që qeverinë e kemi djersitur bukur fort”.

“Rreth 600 milionë euro të buxhetit të Kosovës do të kalojnë drejtpërdrejt te qytetarët e Kosovës që unë mendoj se është një e arritur. Publikisht e përgëzoj PDK-në që e gjeti vullnetin që ta tejkalojë këtë ligj. Ne si AAK, edhe në seancat e kaluara edhe sot, në përbërje të plotë i kemi dhënë përkrahje dhe kemi insistuar që të gjithë deputetët ta përkrahin këtë projektligj. Kemi pasë pengesa nga Lista Serbe, por PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe komunitetet tjera joserbe po e dëshmojnë se kur është në interes të qytetarëve gjejnë gjuhë të përbashkët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *