Avdullah Hoti: Ju lus të gjithë deputetëve ta votoni Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ka ftuar të gjithë deputetët që të votojnë atë duke thënë se kjo pako është ndër më të mëdhatë në rajon.

“Ndihem mirë që erdhëm në këtë pikë që u bëmë bashkë për një ligj esencial për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve. Pakoja jonë për rimëkëmbje gjatë këtij viti që është pjesë e buxhetit të vitit 2021 prej 365 milionë euro është shpërndarë”.

Hoti ka thënë se sipas mundësive kanë arritur të parandalojnë largimin e bizneseve nga tregu dhe të rënien nën pragun e varfërisë për shumë familje.

“Ligji i sotëm, që shpresoj të votohet nga të gjithë deputetët pa përjashtim, do të krijojë një momentum të ri. Tërheqja e 10 përqindëshit të Trustit nënkupton që janë mbi 200 milionë euro shtesë në qarkullimin e përgjithshëm në ekonomi dhe buxhetin e familjeve në Kosovë”.

Hoti ka thënë se ligji me shtimin e amendamenteve nga PDK-ja tash ka një kosto më të madhe, por ai shtoi se kjo ndodh njëherë në 100 vjet kur shteti duhet t’i dalë në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve.

“Pakoja përfshinë pagat për punëtorët që humbin punën, 200 milionë euro për biznese, heqja e TVSH-së për lëndë të parë dhe rimbursimi i mjeteve të fondit”.

Kryeministri falënderoi publikisht Grupin Parlamentar të PDK-së për votimin e ligjit.

“Ju lus ta kalojmë këtë ligj me unitet të plotë dhe do të fillojë zbatimi menjëherë para vitit të ri që pjesa më e madhe e këtyre fondeve të futet në përdorim dhe të kthehemi në vitin 2021 t’i kthehemi normalitetit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *