Përurohet shtatorja e Rugovës në Istog, Haziri: Në Kosovë nuk ka zgjidhje as zgjedhje pa LDK-në

Në 76-vjetorin e lindjes, presidenti historik Ibrahim Rugova është rikthyer i bronztë në vendlindjen e tij në Istog.

Në ceremoninë e inaugurimit të kompleksit memorial “Dr. Ibrahim Rugova” u tha se do të vazhdohet të ruhet amaneti i tij për miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Hoti ka thënë se zbulimi i kësaj shtatoreje është shenjë kujdesi dhe nderimi i përhershëm i qytetarëve, por edhe institucioneve të Kosovës për prijësin dhe themeluesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës

Ai tha se qyteti i Istogut do të ketë edhe një shenjë që nderon këtë qytet, por edhe mbarë Kosovën

“I kam thënë kryetarit Rugova që është e pamundur që të përfillen krejt kushtet që i ka vendosë Ministri i Shëndetësisë, sepse është një ngjarje vërtetë e madhe… Istogut sot po i kthehet simbolikisht në këtë shtatore djali i zgjedhur, të cilin ky qytet ia dha kombit shqiptar për ta shndërruar në prijës dhe në burrështetas të parë të Republikës të Kosovës”, ka thënë Hoti.

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, tha se përurimi i shtatores së presidentit Rugova, por edhe i Kompleksit Memorial është ditë e rëndësishme për qytetarët e Istogut.

“Për mua është një ditë tepër e rëndësishme, për mu dhe për neve Istogas që kemi arrit ta bëjmë përurimin e shtatores së Presidentit Rugova por edhe të Kompleksit Memorial të hapësirave që janë te konveptume si hapësira muzerale, artistike, kulturore ne kuptimin e afirmimit të vlerave që i ka Istogu”, ka thënë Rugova.

Drejtuesit e LDK-së kanë bërë homazhe edhe tek varri i ish-presidentit, e nga aty nënkryetari i kësaj partie Lutfi Haziri tha se në Kosovë nuk ka as zgjidhje, por as zgjedhje pa LDK-në.

Haziri tha se gara në Komunën e Podujevës nuk duhet të shihet as si fitorja e dekadës, e as si humbja e dekadës.

Ai ka shtuar se humbja e bastionit në Podujevë ka nxjerrë mësim që të bëhen më të fortë, ani pse mohoi se partia po kalon në krizë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *