Hoxhaj: Kandidati për president duhet të jetë nga PDK-ja

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, tha se deputetët e kësaj partive nuk do ta votojnë asnjë kandidat për president nga radhët e partive të koalicionit qeverisës.

“S’kemi vota për asnjë kandidat që vjen prej partive në pushtet. Nëse kërkohen votat e PDK-së atëherë edhe kandidati duhet të jetë i Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Hoxhaj në një konferencë për media në Prishtinë, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie.

PDK-ja është partia e tretë parlamentare dhe është në opozitë.

“PDK-ja është në opozitë, mbetet në opozitë, por janë katër ose pesë tema të karakterit nacional ku kërkohet konsensus”, shtoi Hoxhaj.

Në Kosovë brenda disa muajsh duhet të emërohet presidenti i ri, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje në fillim të muajit nëntor, dhe u dërgua në Hagë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga ana e Prokurorisë së Specializuar.

Ushtruese e detyrës së presidentit është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, por në bazë të Kushtetutës ajo nuk mund të ushtrojë këtë detyrë më shumë se gjashtë muaj.

Partnerët e koalicionit qeverisës (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe pakicat) kanë edhe pesë muaj kohë për arritjen e dakordimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Më 24 nëntor, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka paralajmëruar thirrjen e një takimi me liderët e partive politike për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ai ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme, nuk janë opsion.(Rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *