Kërcënimet nga Serbia, KFOR-i i gatshëm të intervenojë nëse cenohet siguria në Kosovë

Forca që i ruan kufijtë e Kosovës aktualisht nuk ka ndonjë indikacion të brendshëm apo të jashtëm që mund ta cenojnë situatën e sigurisë.

Komandanti i ri i KFOR-it, Franco Federici, gjatë një konference online me disa gazetarë, ka folur për rrethanën pas ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale.

Ai pret sjellje të moderuar, por edhe janë të gatshëm për intervenim si reagues i tretë.

“Nuk kemi asnjë indikacion që tregon se situata do të ndryshojë. Jemi të bindur që secili do të sillet në mënyrë të moderuar. Më lejoni të theksoj se KFOR-i nuk është i përfshirë në Gjykatën Speciale. Kjo është temë tërësisht jashtë mandatit tonë. KFOR-i nuk bën hetime. Megjithëkëtë, ne e përcjellim situatën dhe jemi të vëmendshëm. Ne jemi të gatshëm të intervenojmë nëse ka tensione e protesta pas ngritjes së aktakuzave…”, ka pohuar Federici.

Ai ka thënë se KFOR-i nuk është i shqetësuar as me armatosjen e Serbisë dhe deklaratat e zyrtarëve nga Beogradi për mundësinë e një konflikti nëse nuk ka zgjidhje politike.

Sipas Federicit, deri tani nuk kanë hetuar ndonjë rrezik që mund ta prishë qetësinë as në veriun e populluar me shumicë serbe.

Ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë.

“Sikurse ka thënë sekretari gjeneral, NATO e mbështet dialogun. Ne mirëpresim çdo hap që forcon bashkëjetesën mes komuniteteve dhe do ta luajmë rolin tonë si ndihmues në këtë drejtim”, ka shtuar ai.

Gjeneral-majori italian ka përsëritur se bashkëpunimi me FSK-në po vazhdon sipas mandatit të kaluar, përderisa nuk vendos ndryshe selia e NATO-s në Bruksel.

KFOR-i aktualisht ka 3 mijë e 500 ushtarë në Kosovë dhe siç ka thënë Federici, për momentin nuk planifikojnë reduktim të trupave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *