Isa Mustafa: Jemi gati që nesër për zgjedhje të reja

Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, siç duket nuk e ka trembur debakli që pësoi partia e tij në Podujevë, ku fitoi VV-ja e Albin Kurtit.

Mustafa thotë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, qoftë komunale apo të përgjithshme.

“Sa u përket zgjedhjeve komunale apo të përgjithshme, që nesër jemi të gatshëm. Pa fije hezitimi”, ka deklaruar Mustafa për Express.

Por kjo humbje, për Mustafën, nuk është përmbysje e partisë së tij.

“Ata që mendojnë se do ta kthejmë përmbys LDK-në, pasi që në Podujevë ka fituar VV për një mbetje të mandatit prej 10 muajsh, e kanë gabim. Kur e kemi tërhequr z. Veliu nga Kryetari i Komunës për ministër, kemi llogaritur se mbetjen e mandatit edhe mund ta merr tjetërkush”, ka deklaruar Mutafa

Ndërkohë, me 51.64 për qind të votave, Shpejtim Bulliqi i VV-së arriti të fitojë në Podujevë, pa pasur nevojë të shkohet në balotazh.

Kryetari i ri i Podujevës ka qenë për shumë vjet pjesë e pushtetit të vjetër, Megjithatë VV-ja si subjekt po e provon për herë të parë qeverisjen aty.

Podujeva shkoi në zgjedhjet e parakohshme pasi kryetari i saj, Agim Veliu, la detyrën për t’u bërë pjesë e qeverisë në muajin shkurt të këtij viti.

Në garën për kryetar të Podujevës kanë qenë Shpejtim Bulliqi i LVV’së, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Naim Fetahu i PDK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *