Haradinaj: Kemi qenë afër marrëveshjes për president me Thaçin dhe Veselin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për temat aktuale në vend, përfshirë edhe kandidaturën e tij për president të vendit.

Haradinaj në televizionin publik ka thënë se e ka pranuar nominimin nga Kryesia dhe Këshilli Drejtues i AAK-së që të jetë president i vendit. Sipas tij, kjo pozitë ka sfida dhe detyrime të shumta.

“I shoh kritikat dhe mendimet e të gjithëve rreth kandidaturës sime. Arsyeja e këtij nominimi është që t’i shërbej vendit në këtë kohë të vështirë, pastaj bëhet fjalë për fatin tonë dhe proceset që na presin në vitet e ardhshme”.

Haradinaj e ka krahasuar këtë kohë me periudhën kur ai ishte zgjedhur për herë të parë kryeministër në një koalicion me Ibrahim Rugovën dhe LDK-në.

“Edhe koalicioni me Rugovën ishte aso në kohë në të mirë të pajtimit dhe bashkimit. Ne nuk duhet të lejojmë që të na pengojnë të tjerët, prandaj sot duhet dikush që di t’i japë drejtim vendit, njeri që është i respektuar nga njerëzit e luftës, familjet e dëshmorëve, komunitetet, etj”.

Ai ka thënë se në këtë rast Kosova nuk është në pozicionin më të mirë.

“Ka disa tema që rëndojnë mbi neve tash – pandemia, gjendja ekonomike, por edhe pamundësia e implementimit të buxhetit siç është Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, pastaj dialogu, përmbyllja e shtetësisë, aktakuzat që janë ndërhyrje në proces politik dhe të tjera. Programi im është ruajtja e shtetit unitar dhe kushtetushmërisë”.

Haradinaj ka deklaruar se për kandidaturën e tij për president është takuar me të gjithë liderët politikë, përfshirë ata të koalicionit qeverisës, dhe ish-presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së Kadri Veseli.

“Jam takuar me të gjithë – me Fatmir Limajn, Behgjet Pacollin, Isa Mustafën, me komunitetet tjera – dhe iu kam treguar se kjo është kandidatura ime. Jam takuar edhe me Hashim Thaçin dhe me Kadri Veselin dhe e kam ruajtur respektim tim për ta dhe atyre ua kam prezantuar projektin tim. Kemi pasë një përafrim në momentet e fundit, por meqë ata nuk janë këtu nuk do të bëj më shumë publike”.

Sipas Haradinajt, ai ka pasur përafrim dhe kanë qenë afër përmbylljes së marrëveshjes me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin për kandidaturën e tij për president.

“Ne e kemi pasë edhe një takim ditën kur Kadri Veseli udhëtoi për në Hagë. E kam takuar dhe Enver Hoxhajn, Uran Ismailin dhe Sami Lushtakun. Jemi në proces. Çështja është që të arrihet edhe një marrëveshje me PDK-në, pasi që ne jemi në koalicion me LDK-në. Pra, duhet një takim i përbashkët ku ulemi të gjithë dhe biem darkord për presidentin”./Rtklive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *