Gjuajtje me armë në Vushtrri, policia arreston dy persona dhe konfiskon një pistoletë

Një rast i gjuajtjes me armë zjarri është raportuar në Vushtrri.

Me këtë rast policia ka arrestuar dy persona dhe ka konfiskuar një pistoletë.

Kështu për Klan Kosova tha zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës Avni Zahiti.

“Në orët e pasdites së sotme në Stacionin Policor në Vushtrri, është raportuar për të shtëna me armë zjarri. Njësitet policore me urgjencë i janë përgjigjur informacionit, me çrast në vendin e ngjarjes kanë arrestuar dy persona të dyshuar si dhe është sekuestruar një armë e llojit pistoletë”.

Zahiti tha se dyshohet se ngjarjes mund t’i ketë paraprirë një zënkë ndërmjet dy të dyshuarve, ku njëra nga këta ka shtënë me armë zjarri në ajër.

Ai theksoi se nuk raportohet për të lënduar.

“Bazuar në hetimet fillestare, ngjarjes dyshohet ti ketë paraprirë një zënkë ndërmjet dy të dyshuarve, ku më pas njëri nga të dyshuarit ka shtënë në ajër me armë zjarri, ku nga e shtëna me armë nuk raportohet për të lënduar. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes si provë materiale është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë”.

“Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur prokurorit të rastit, ku rasti është iniciuar dhe po hetohet si vepër penale mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës dhe përdorim i armës. Pas procedurës së intervistimit, dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt “.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *